Leksion i Hapur: “Integrimi Evropian dhe Të drejtat e njeriut”

Katedra Jean Monnet pranë ShLUJ “Universitetit Marin Barleti” dhe Institutit Shqiptar për Çështjet Publike, mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Tiranë po zbatojnë nismën Akademia Publike e Lëvizshme, konceptuar si një seri leksionesh dhe seminaresh për çështje të ndryshme lidhur me zhvillimet në vend, duke u fokusuar tek integrimin Evropian dhe të drejtat e njeriut.

Ndryshe nga iniciativat e mëparshme, Akademia Publike e Lëvizshme ndryshon vendin dhe tematikën sipas nevojave konkrete të qyteteve përkatëse. Synimi i kësaj iniciative është të shkojë në qytetet kryesore të vendit për të ndërtuar një dialog dhe për të shkëmbyer përvojat me aktorët lokalë duke i ndërgjegjësuar për sfidat dhe kapacitetet e tyre në ndikimin pozitiv në komunitet.

Takimi i fundit u organizua në bashkëpunim me Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës dhe EU Policy HUB, më 22 qershor 2016, ora 9:30, në ambientet e Fakultetit, ku ishin të pranishëm pedagogë dhe studentë të universiteteve të ndryshme si dhe anëtarë të shoqërisë civile.

Pas fjalës përshëndetëse të znj. Albana Shijaku, zv.dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, dhe znj. Dewi van de Weerd, ambasadore e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, prof. Egbert Myjer mbajti një leksion të hapur lidhur me çështjet bashkëkohore në fushën e integrimit evropian dhe të drejtave të njeriut.