Prezantimi i Projektit RESTART

Prezantimi i Projektit RESTART
"Rizbulimi i Solidaritetit Evropian dhe Rritja e Tolerancës"

Më datë 17 nëntor 2016, në ambientet e SHLUJ "Universiteti Marin Barleti" u prezantua përpara studentëve dhe pedagogëve projekti RESTART (Reinventing European Solidarity and Raising Tolerance).

Drejtori i Institutit Shqiptar të Çështjeve Publike (AIPA) dhe njëherazi Drejtues i Qendrës Jean Monnet Dr. Dorian Jano u bëri me dije të pranishmëve se vitin e kaluar Evropa përjetoi një situatë të pamenduar më parë, e cila u quajt: kriza e refugjatëve. Me qindra e mijëra qenie njerëzore për shkak të konflikteve të armatosura, luftës civile e varfërisë morën ndoshta vendimin më të rëndësishëm të jetës së tyre braktisjen e çdo gjeje të njohur për t'u hedhur drejt krahëve të së panjohurës. Emigrimet në masë, vijoi në fjalën e tij Dr. Jano, nuk janë diçka e re për shoqërinë njerëzore, por përse kriza e refugjatëve gjatë vitit 2015 u kthye një ndër çështjet globale e humane më të ndjeshme? Ishte pikërisht kjo pikëpyetje, e cila shërbeu si pikënisje e këtij projekti interesant, në kuadër të Programit Evropa për Qytetarët, të financuar nga Bashkimi Evropian me pjesëmarrjen e katër partnerëve si: Instituti për Kërkim dhe Trajnim në Çështjet Europiane (IRTEA), Instituti Shqiptar i Çështjeve Publike (AIPA), Vëzhgo Votën në Evrope dhe Këshilli Rinor i Qipros, shtoi në fjalën e tij Dr. Jano.

Më pas Dr. Jano i jep fjalën për përshëndetjen e rastit Rektorit të SHLUJ "Universiteti Marin Barleti", Prof. Dr. Marenglen Spiro, i cili evidentoi angazhimin e Institucionit në mbështetjen e vazhdueshme të projekteve që kanë në fokus njohjen dhe të kuptuarit e historisë së Bashkimit Evropian, të diversitetit kulturor si edhe të ndërgjegjësimit dhe përkujtimit të vlerave duke inkurajuar pjesëmarrjen demokratike të qytetarëve të BE-së.

E ftuar nderi gjatë këtij evenimenti ishte Shkëlqesia e Saj Znj. Eleni Sourani, Ambasadore e Ambasadës së Greqisë në vendin tonë. Ambasadorja theksoi në fjalën e saj se shoqëria njerëzore ka arritur në një stad të tillë zhvillimi të cilin e quajmë ''globalizim'' ku shpeshherë çështjet e brendshme të një shteti kthehen në çështje ndërkombëtare apo anasjelltas. Çështja e refugjateve u vendos në qendër të vëmendjes të shoqërisë njerëzore pikërisht për faktin se tregoi brishtësinë që ka demokracia në botë si dhe institucionet madhore, të cilat merren me interpretimin e Konventave për të drejtat e njeriut dhe të fëmijëve.
Një aspekt interesant i aktivitetit ishte edhe prezantimi i katedrës UNESCO nga Drejtuesi i saj, Dr. Ervis Martani, mbi multikulturalizmin, dialogun ndërkulturor dhe të drejtat e njeriut në Ballkan.
Një prezantim i detajuar mbi qëllimet, afatet e zhvillimit të tij, mënyrën e realizimit, aktivitetet që do të zhvillohen si edhe pritshmërinë e këtij projekti iu bë me dije studentëve dhe të ftuarve nga Oikonomou Savvoula, anëtare pranë Institutit për Trajnim dhe Kërkim të Çështjeve Evropiane (IRTEA).

Aktiviteti u përmbyll me një workshop ku studentët të ndarë në grupe nën udhëheqjen e pedagogëve diskutuan mbi sfidat, vështirësitë e të qenit refugjat. U praktikuan ushtrime dhe role play të ndryshme mbi mënyrat e përballimit të statusit të refugjatit si dhe dolën përfundimet e para mbi direktivat më të mira për përballimin me sukses të kësaj sfide të vështirë. Gjetjet e grupeve u prezantuan nga përfaqësuesit e secilit grup për të gjithë të pranishmit.
Fotoja e grupit ishte një urim i fiksuar në celuloid për organizatorët dhe një përgëzim për kontributin e studentëve.